KURTI PËR RASTIN “MONSTRA”: KEMI RASTE TË CILAT NUK JANË ZBARDHUR DERI NË FUND

Kryeministri i Kosovës, Abin Kurti ka vlerësuar se procesi gjyqësor “Monstra” është një trashëgimi e vështirë nga e kaluara.  Gjatë qëndrimit në Shkup ai është pyetur në lidhje me ekstradimin e dy të akuzuarve për rastin “Monstra”, të cilët janë në Kosovë. Kurti tha se ministrat e dy qeverive janë në kontakt të drejtpërdrejt dhe në komunikim të vazhdueshëm dhe të cilët punojnë për atë çështje.

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

“E dimë se nga e kaluara ne trashëgojmë raste tragjike të cilët kanë pasur procese të vështira. Ka raste të cilët për bindjen time nuk janë zbardhur deri në fund, për të cilat ende nuk e kemi të vërtetën e plotë dhe bashkë me kryeministrin Zaev kemi diskutuar që kemi nevojë për ndihmën ndërkombëtare që drejtësia për të gjithë qytetarët të shkojë në vend deri në fund, ashtu që të mësohet e vërteta e plotë”

Ndërkohë, më herët gjatë muajit gusht, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, është pyetur nëse Kosova do të ekstradonte Alil Demirin dhe Afrim Ismailoviqin, dy të dënuarit për rastin Monstra të cilët aktualisht gjenden në Kosovë. Haxhiu ka deklaruar se rasti gjyqësor ende nuk është i formës së prerë pasi që është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit. Haxhiu sqaroi se sapo të ketë vendimet e plotfuqishme të gjykatave, Kosova do të bëjë të qartë vendimet për këtë çështje. /SHENJA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *