Isa Mustafa i quan mercenarë të larguarit e LDK-së që garojnë në listën e VV-së

Lidhja Demokratike e Kosovës “është shkollë”, jo vetëm për partitë në Kosovë, por për të gjitha partitë në Ballkanin Perëndimor ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Advertisement

“Dy herë kemi drejtuar qeverinë dhe kemi dëshmuar sesi qeveriset me mendje, si qeveriset mirë dhe pa korrupsion. Ne jemi shkollë për krejt. Jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Mustafa.

Për këto “qeverisje të mira”, Mustafa shprehet i bindur që LDK-ja do të shpërblehet nga kosovarët me votë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Në çdo palë zgjedhje e kemi rritur përkrahjen dhe numrin e votuesve. Kemi dalë bindshëm të parët edhe në zgjedhjet e fundit lokale”.

Sondazheve të fundit që e nxjerrin LDK-në të tretën pas Lëvizjes Vetëvendosje e Partisë Demokratike të Kosovës Mustafa nuk iu beson.

“Unë i besoj vetëm vullnetit të popullit”, deklaroi ai. Madje numrat e prezantuar nëpër sondazhe i quan “fushatë e orkestruar”. Dyshon se po organizohen nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Fushata që po zhvillohet përmes sondazheve të organizuara nga VV është diktatoriale”.

Bashkimin e Vjosa Osmanit – ish-nënkryetares së LDK-së dhe kandidates për kryeministre të kësaj partie në zgjedhjet e kaluara – me Lëvizjen Vetëvendosje e ka cilësuar si “mercenarizëm politikë”, por, sipas Mustafës, kjo s’ndikon dot te votuesi i LDK-së.

“Tendenca që të përvetësohen votuesit e LDK-së për këto qëllime (marrjen e votave nga LDK) është mercenarizëm politik”.

“Votuesit dhe përkrahësit e LDK-së nuk bëhen objekt i mercenarëve që janë futur në listën e VV-së. Janë shumë më të mençur e më besnik”, thotë ish-kryeministri i Kosovës.

LDK, që në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit garon në një listë me Aleancën Kosova e Re, partinë e Behgjet Pacollit, ka prezantuar si kandidat për kryeministër Avdullah Hotin.

Advertisement

Leave a Reply