Ramush Haradinaj nuk e meriton postin e presidentit të vendit

Nga Dibran Demaku

Advertisement

Pas zgjedhjeve të katërmbëdhjetë shkurtit dhe rezultateve të arriturave të partive politike,analistë të ndryshëm si koalicion më të mundshëm e shohin atë në mes të fituesit Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Fill pas kësaj, pothuajse të gjithë analistët e shohin si president të ardhshëm të vendit liderin e AAK-së Ramush Haradinaj. Se përse analistët e ndryshëm e duan një koalicion të tillë të mundshëm në mes të fituesit dhe humbësit të zgjedhjeve nuk dihet, por ajo që dihet me këtë i jepet mundësia e artë Rambos që ta realizojë ëndrrën e tij të jetës, të bëhet president i vendit!

Të zgjidhet në postin e të parit të vendit, edhe pse atë post nuk e meriton me asgjë. Kur themi me asgjë e kemi parasysh faktin se ai nuk mund të jetë në asnjë mënyrë president i vendit me vetëm tetë përqind të votave.

Në fakt Ramush Haradinaj asnjëherë në jetën e tij politike nuk është ngritur në poste të larta politike të vendit me meritë (dy herë në postin e kryeministrit të vendit, dhe të dy herët ka qeverisë keq, madje shumë keq), por falë pazareve të ndryshme politike.

Synimin e tij për postin e presidentit ai e ka shfaqur edhe para zgjedhjeve duke bërë shantazh se nëse nuk e merrte atë post ai do ta rrëzonte qeverinë e vendit dhe vendi do të shkonte në zgjedhje. Për fat të mirë të vendit ai nuk e rrëzoi qeverinë, por atë e rrëzoi Gjykata kushtetuese,dhe kështu ia mori nga duart një adut Ramushit, i cili atë adut do ta përdorte si shantazh ndaj fituesit të zgjedhjeve.

Fakti tjetër që i del kundër synimit të Ramushit që të ulet në postin e të parit të vendit është edhe e dhëna se presidenti i vendit do të duhej të ishte unifikues i politikës në vend, me çfarë ai nuk mund të llogaris.

Votuesit ia kanë caktuar vendin si humbës të zgjedhjeve dhe ai nuk mund të jetë kurrfarë unifikuesi.

Me një fjalë Ramushi i AAK-së me asgjë nuk e meriton postin e të parit të vendit, përveç me dëshirën e tij. Veçse politika nuk bëhet me dëshira dhe ëndrra të tipit të Ramushit.

Ramushit të AAK-së pas këtyre zgjedhjeve i ka ardhur koha që të shkojë në pension, apo të bëjë ndonjë punë tjetër, sepse politikisht është konsumuar krejtësisht!

Edhe fituesi i zgjedhjeve (Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj) nuk do të duhej në asnjë mënyrë të binin nën shantazhimin e mundshëm të Ramushit, sepse në të ardhmen e afërme mund t‘i hakmerrej me humbjen e votave në zgjedhjet e pritshme komunale.

AAK-ja mund të jetë pjesë e koalicionit qeverisës, por pa Ramushin president. Çdo zgjedhje tjetër do të ishte e dëmshme për Lëvizjen Vetëvendosje.

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *