Vidhen 1 kg ari në vlerë prej 50 mijë € në një banesë në Prishtinë, pronarja dyshon te ish-pastruesja

Pothuajse çdo ditë raportohen në Polici raste të shumta të vjedhjeve që po ndodhin në banesa e shtëpi gjithandej vendit, duke shkaktuar frikë e pasiguri të madhe për qytetarët. Një rast i tillë është raportuar edhe të hënën, nga një grua në Prishtinë, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se vjedhja dyshohet se është kryer në tre muaj e fundit, pasi gjatë kësaj kohe pronarja e banesës nuk ka qenë aty, periudhë kjo që është shfrytëzuar nga personi i dyshuar për ta kryer vjedhjen.

Këtë herë, nuk bëhet fjalë vetëm për disa stoli të arit, por hiç më pak se 1 kg, që kap vlerën e rreth 50 mijë eurove. Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve policorë, vjedhjen ajo dyshon se e ka kryer ish-punëtorja për pastrim, të cilën pronarja e kishte angazhuar në banesën e saj.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë” dhe pritet të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *