Kurti pas takimit në Ohër: Pajtimi publik është arritur, pala tjetër po i ikë nënshkrimit

Pas rreth 10 orësh diskutime në tavolinën e negociatave në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nën ndërmjetësimin e përfaqësueseve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, raporton Gazeta Sinjali.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar për media pas përfundimit të takimit, ku ka bërë të ditur se pala serbe sërish po i ikë nënshkrimit.

“Më vjen keq për brengosjen që mund ta kenë përjetuar (qytetarët) gjatë kësaj dite maratonike. Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër po i ikë nënshkrimit të marrëveshjes… tash edhe me aneks. I takon Bashkimit Evropian që ta gjejë mekanizmin për ta bërë statusin e kësaj marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme. Sa i përket Aneksit, ai do të publikohet në portalin e BE-së dhe aty do ta kuptoni edhe çka ka edhe çka s’ka”, tha ai.


Kujtojmë se ky takim erdhi pas atij të 27 shkurtit në Bruksel, ku siç pati njoftuar Borrell, të dyja palët ishin dakorduar se nuk nevojiten bisedime të mëtejshme për propozimin evropian dhe se kjo është korniza për normalizimin e marrëdhënieve.

Në të njëjtën ditë u publikua teksti i marrëveshjes, i cili përmban 11 nene, e që më së shumti reagime dhe mospajtime pati për nenin 7, si neni që lejon krijimin e Asociacionit në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *