Rama për situatën me Amerikën: Është fati i Kosovës në pyetje, jo i Albin Kurtit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se i ka dorëzuar presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për këtë, ai ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian si dhe amerikanët. Por për të njëjtin nuk është konsultuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Sipas Ramës, dokumenti mund të çojë dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër nivel.

Në një konferencë të jashtëzakonshme, Rama ka deklaruar se drafti është punuar nga ekspertë ndërkombëtarë prej kohësh.

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman një draft të asociacionit, për të cilën kam vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe palën amerikane. Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe europian prej kohësh, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, kjo ditë kur palët dhe në këtë rast, për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë që e përsëris, bën atë që ka bërë dhe herë të tjera, palët nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më të merret vesh se çfarë duhet të ketë teksti”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë.

Rama ka deklaruar se “situata po bëhet alarmante dhe unë nuk mund të qëndrojë spektator duke parë Kosovën sesi tkurret e tkurret në sytë e aleatëve.

“Natyrisht që ky është një dokument konfidencial i cili pa diskutim nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale por ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionin dhe patjetër merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Uroj dhe shpresoj që ky material do të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët që të flasin për gjëra konkrete, gjëra që lidhen me përfundimin e suksesshëm të dialogut dhe jo që të flasin me vete dhe për vete”, ka thënë Rama.

Rama ka deklaruar se një asociacion që gjen miratimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është gjëra që i duhet vendit sot.

Unë mendoj që një asociacion që është brenda kornizës kushtetuese të Kosovës , që është në sinkron me të gjithë pritshmëritë e komunitetit demokratik, që i jep vetë administrim, vetë menaxhim, quheni si te doni, atyre që e përbëjnë, pa e venë në pikëpyetje asnjëherë autoritetin e insitucioneve të Republikës së Kosovës; që i jep mundësi t’i bëjnë ato që duhet të bëjnë për arsimin dhe për shëndetësinë dhe që patjetër gjen miratimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është gjëja që i duhet sot Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se drafti nuk do të bëhet publik por sipas tij i njëjti është material në tryezë ku mund të ketë edhe materiale të tjera.

Tutje, Rama ka thënë se asnjëra palë nuk e do Asociacionin dhe se do të përpiqen që ta shtyjnë atë në pafundësi.

“E kam ditur me kohë që nyja gordiane e dialogut do të ishte deri në fund asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do asociacionin dhe do të bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi, duke mbajtur të hapur krizën me lloj-lloj artificesh politike apo teknike. Nga ana tjetër, besoj çdo ditë e më shumë se krijimi i asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në Kombet e Bashkuara dhe të gjitha Forumet ndërkombëtare dhe e njohjes së ndërsjellë me Serbinë”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se nuk ka dalë vullnetar për të bërë ndonjë marrëveshje por sipas tij, ka dhënë kontribut në punën e një grupi ekspertësh për tryezën e dialogut.

“Unë nuk sulmoj Albin Kurtin. Albin Kurtin e fajëson bota e tërë demokratike me emër dhe me mbiemër dhe kjo mua më shkakton vetëm keqardhje sepse nuk shoh pse duhet të ndodhë kështu. Unë nuk jam as për të gjykuar Albin Kurtin dhe aq më pak për të sulmuar Albin Kurtin. Këto janë deduksione të gabuara”, ka thënë Rama.

E duke përmendur ndërkombëtarët, Rama i ka quajtur ata zot të shtëpisë në Kosovë, që sipas tij, e kanë krijuar atë me bomba.

“Duke parë që në vend se të ulen në tryezë njëri çon policinë në godina bosh, tjetri çon ushtrinë për të kënduar këngë në kufij me Kosovën dhe të dy e dinë që as njëri dhe as tjetri nuk janë aty për të zgjidhur problemin real që është problemi i gjithë marrëveshjes së normalizimit dhe asociacionit, që është thelbi i kësaj marrëveshjeje, siç e keni parë. Çfarë kërkojnë ata që në këtë rast unë nuk i quaj ndërkombëtarët, ata janë të zotët e shtëpisë në Kosovë. Ata janë të zotët e shtëpisë në Kosovë si në asnjë vend tjetër sepse ata e kanë krijuar atë shtëpi me bomba dhe me shumëçka kanë bërë për atë shtëpi dhe për sa kohë ajo shtëpi nuk është plotësisht e njohur botërisht, ata ndërkombëtarët janë limfa vitale e asaj shtëpie. Në momentin që ata ndërkombëtarët i kthejnë shpinën asaj shtëpie, ajo shtëpi, mos ndodhtë kurrë, futet në ditët e veta më të zeza”, ka thënë Rama.

Sipas Ramës, në veri të Kosovës duhet shpallur zgjedhjet menjëherë dhe duhet tërhequr Policia e Kosovës nga ndërtesat komunale

“Jam absolutisht i bindur tani që ato zgjedhje e mbaruan misionin e tyre, duhen shpallur zgjedhje të reja dhe duhen shpallur pa humbur kohë, menjëherë, për të treguar vullnet në radhë të pare dhe për të de-eskaluar situatën. Duhet tërhequr policia menjëherë, nuk ka çfarë pret policia atje, rri kot atje nëpër godina bosh sepse Kosova është më e interesuara për këtë gjë dhe këta ndërkombëtarët janë të zotet e shtëpisë atje dhe është shumë e vështirë ta mendosh atë shtëpi pa ata edhe për një kohë të gjatë, aq më tepër pastaj t’i nxjerrësh ata nga shtënia me shqelma. Është e pamundur. Ajo që mund të ndodhë është shumë e rëndë, është shumë e rëndë. Nëse trupat e huaja do të marrin veriun e Kosovës, çështja do të kthehet në tryezë, kush e di pas sa vitesh”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se është e pakuptueshme arsyeja e ngurrimet të autoriteteve në Kosovë për de-eskalimin e situatës në veri

“Situata në veriun e Kosovës po merr për fat të keq përmasat e një tragjedie politike për Republikën e Kosovës. Deklaratat e aleatëve tanë strategjikë lidhur me këtë situatë janë gjithnjë e më alarmante dhe sinqerisht është e pakuptueshme arsyeja e ngurrimit të autoriteteve të Kosovës për de-eskalimin e një situate ku dukshëm çdo ditë, çdo orë, e humbur e madhe është Kosova. Serbia po bën atë që ka bërë edhe herë të tjera, ndërsa Kosova po bën diçka që nuk e ka bërë kurrë më parë dhe si kurrë më parë po fajësohet botërisht nga të gjithë aleatët strategjikë të kombit shqiptar”, ka thënë Rama.

Rama është shprehur i shqetësuar për atë që ai e ka quajtur tkurrje të Kosovës në sytë e aleatëve.

“Jam tejet i shqetësuar për tkurrjen dramatike të Kosovës në sytë e aleatëve dhe për tonet ultimative të aleatëve. Për këtë jam i shqetësuar, gjë që mund të sjellë pasoja të pallogaritshme në shumë aspekte, duke filluar nga pasoja e rritjes së numrit të trupave në Kosovë që do të thotë ulje e kapacitetit sovran të Kosovës për shembull, ose gjë që do të thotë humbja e Kosovës në aspektin e humbjes së një shansi, një mundësie për të integruar plotësisht veriun në jetën e vetë institucionale duke hapur rrugën që veriu të kalojë në kontrollin e trupave të huaja, që do të ishte një gjë e tmerrshme nga pikëpamja e interesave tona”, ka thënë Rama.

Sipas tij, prej kohës së luftës së fundit në Kosovë, vendi nuk është më nën asnjë kërcënim.

“Për këto jam shumë i shqetësuar dhe jo për ato që shqetësohen të tjerët ose as për ato jo e jo që proklamohen si kërcënime ndaj Kosovës. Kosova ka që në vitin 1999 që nuk është nën asnjë kërcënim, nuk ka kërcënim për Kosovën. Zero! Kërcënimi është vetëm në mendjen e politikanëve në Kosovë dhe është vetëm një mënyrë për të bërë politikë të brendshme duke përdorur hijen e një kërcimi që nuk është ekziston. Serbia e ka humbur Kosovën përfundimisht në vitin 1999 dhe Serbia nuk ka asnjë fuqi që t’i prekë Kosovës asnjë fije floku, këtë e di cilido që e shikon skenën pa interesat elektorale brenda Serbisë apo Kosovës. Për këto jam unë i shqetësuar”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në këtë situatë nuk është në lojë fati i Albin Kurtit por ai i Kosovës.

“Nuk është fati i Albin Kurtit sot në lojë, është fati i Republikës së Kosovës si e tërë dhe natyrisht që unë dua vetëm suksesin e Albin Kurtit, Qeverisë së Kosovës, Republikës së Kosovës dhe asgjë tjetër, por nuk mund të rri më duke parë në kushtet kur realisht ajo që shoh duhet ndarë me të gjithë sepse është një kërcenim shumë i madh që nuk i vjen Kosovës nga Serbia, por i vjen nga reduktimi i marrëdhënieve me aleatët në një nivel ku e humbura e madhe është Kosova. Ky është shqetësimi im”, ka thënë ai.

Sipas kryeministrit të Shqipërisë, për Kosovën është jetike që “të dalë nga ky qorrsokak dhe patjetër të finalizojë procesin që mundëson njohjen e ndërsjellë dhe që mundëson çlirimin përfundimtar të Kosovës edhe nga pengesat e natyrës së legale në raport me një pjesë të Europës dhe të botës që nuk e njeh si republikë.

“Kjo është një gjë shumë e madhe për tu tretur në dallgët e furtunës në gotën e 4 komunave për 4 kryetarë komunash që e kanë kryer misionin e tyre dhe që mund të vazhdojnë detyrën në godina të tjera, pa pasur nevojë që të angazhohet një polici e tërë për të rritur komplet në mënyrë artificiale frymën e vetëvendosjes së serbëve në ato territore. Se asnjë gjë tjetër nuk ndodh atje përveçse ushqehet një frymë vetëvendosje e vetë serbëve atje. Ky është fakti, i hidhur por shumë i vërtetë”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *